|
FORUMI PËR NDËRMARRËSI DHE ROLI I NVM-VE NË ZHVILLIMIN EKONOMIK |
|
|
Iniciativat e të rinjve të Republikës së Kosovës për të themeluar ndërmarrje të vogla dhe të mesme duhet të gëzojnë mbështetje më të lartë në ndërtimin e kapitalit human për ndërmarrësi
Prishtinë, 17 Nëntor 2009, Qendra për Mbështetje të Bizneseve në Kosovë (BSCK) ka organizuar forumin me temë “Ndërmarrësia dhe Roli i NVM-ve në Zhvillimin Ekonomik” në Prishtinë. Qëllimi i këtij forumi është prezantimi i informatave ekzistuese dhe diskutimi rreth sfidave, problemeve, dhe rëndësisë së ndërmarrësisë, posaçërisht NVM-ve, në Kosovë. Në këtë temë kanë kontribuar diskutimet nga ligjërues dhe trajnerë të ndërmarrësisë, organizata dhe biznese që ndihmojnë zhvillimin e ndërmarrësve në Kosovë, ndërmarrës me eksperiencë, ndërmarrës të rinj, dhe të rinj të tjerë që synojnë që në një të ardhme të afërt të bëhen ndërmarrës.
Në fjalën hyrëse të këtij forumi z. Besnik Krasniqi, Drejtor i BSCK-së,
ka potencuar se planifikimi dhe ndërtimi i kapaciteteve humane janë
elementet më me rëndësi për të rinjtë që dëshirojnë të themelojnë
bizneset e tyre në Kosovë. Z. Krasniqi, ka shpjeguar reformimin e
vazhdueshëm të moduleve të ndërmarrësisë që zhvillohen në Shkollën e
Ndërmarrësisë të organizuar nga BSCK nën mbështetje të Ministrisë së
Jashtme të Holandës (MJH). BSCK deri më tani ka ndihmuar themelimin dhe
zhvillimin e 30 bizneseve dhe është në proces të themelimit të 12
ndërmarrjeve të reja. Përmes trajnimeve të organizuara në Prishtinë,
Pejë, Prizren, dhe Drenas, të rinjtë nga e gjithë Kosova kanë mundësinë
që të aftësohen për ndërmarrësi dhe të fitojnë mbështetje përmes
konsulencës falas, regjistrimit të biznesit falas, qasjes në
mikro-kredi, dhe promovimit të bizneseve tek partnerët dhe investitorët
potencial. BSCK në vitin e ardhshëm do të mundësoj edhe hapësirë brenda
inkubatorit i cili mbështetet nga MJH dhe Komuna e Prishtinës. Kjo
mundësi dhe organizime tjera si “Breakfast with an Entrepreneur” me
siguri se do të ofrojnë kushte më të favorshme për zhvillim të
suksesshëm të bizneseve të reja.
Z. Durim Hoxha, Drejtor për
Konsulencë në Qendrën e Ndërmarrësisë dhe Zhvillimit të Bizneseve
(CEBD), ka bërë prezantim rreth zhvillimit të NVM-ve dhe faktorëve që
ndikojnë në zhvillimin e ndërmarrësve. Z. Hoxha ka shpjeguar trendin e
llojit të ndërmarrjeve që nga vitet e ’ 80 e tutje. Në këtë periudhë,
NVM-të konsiderohen si ndërmarrje më të përshtatshme për tregun i cili
është mjaft dinamik dhe ndryshimet duhet bërë shumë shpejtë. Në
Bashkimin Evropian, 67% e vendeve të punës gjenerohen nga NVM-të. Z.
Hoxha, potencoi rolin e kapitalit human, diturisë dhe ideve inovative
si faktorë përcaktues në suksesin dhe zhvillimin e shpejtë të
ndërmarrjeve të reja.
Pjesëmarrësit me përvojë në biznes kanë
konsideruar si shumë të rëndësishëm organizimin e forumeve dhe të
ngjarjeve të ndryshme ku do të merrnin pjesë ndërmarrësit, zyrtarët nga
institucionet e ndryshme, punëkërkuesit, dhe organizatat që merren me
ndërtimin e kapaciteteve humane. Ky lloj organizimi krijon hapësirë për
të qenë më të informuar rreth resurseve dhe mundësive që ekzistojnë në
vendin ku operojnë ndërmarrjet.
|